COVID-i i merr jetën 62-vjeçarit nga Tirana, 71 raste të reja, 15 të shtruar në 24 orë te Infektivi

2020-06-21 0

TIRANE-Një 62-vjeçar nga kryeqyteti ka humbur betejën me COVID-in duke e çuar në 44 numrin e viktimave nga koronavirusi në Shqipëri që nga momenti i fillimit të pandemisë. Sipas ministrisë 62-vjeçari nga Tirana ishte i shtruar në gjendje të rëndë, i intubuar dhe nuk arriti dot të mbijetojë me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor të spitalit infektiv.

Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 327 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive, një rritje mjaft e lartë krahasuar me ditën e djeshme që ishin 53. Rastet në 24 orët e fundit janë kryesisht të reja në proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 31 të prekur në Tiranë, 12 në Shkodër, 6 në Fier, nga 5 raste në Krujë dhe Vlorë, 4 në Pogradec, 3 në Durrës, 2 në Kamëz, dhe nga 1 rast në në Mirditë, Lezhë, Kukës.

Një lajm i keq edhe për shtrimet  te Infektivi. Po sipas ministrisë, vijon të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si pasojë e Covid19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 78 pacientë, 15 më shumë se dje, 10 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar.