'Venecia' kërkoi depolitizimin e AMA-s, PD: Rama synon të emërojë atë që i shkruan fjalimet

2020-06-21 0

TIRANE-Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se po tenton që të emërojë në krye të Autoritetit të Medias (AMA-s) një njeri politik, ndryshe nga sa kërkonte Komisioni i Venecias në opinionet për paketën Anti-shpifje. Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi u shpreh sot se Edi Rama po çon përpara planin për të shndërruar në institucion thellësisht partiak AMA-n dhe Këshillin Mbikëqyrës të Radio Televizionit Shqiptar, duke treguar se plani i tij nuk është media e lirë, por kontrolli i saj, përmes emërimeve politike në këto institucione. "Edi Rama po bën një lojë të dyfishtë dhe të rrezikshme për lirinë e medias. Nga njëra anë bën sikur është i kënaqur nga vendimi i Komisionit të Venecias, që rrëzoi ligjin e tij të censurës, nga ana tjetër vazhdon të mbajë në një garë formale vartësit e tij dhe të Erion Veliajt për kreun e AMA-s" tha ajo.

Konkretisht, Vokshi tha se Edi Rama synon të emërojë në krye të AMA-s njeriun që i shkruante fjalimet. "Synon që, në kundërshtim me ligjin dhe me forcën e kartonave në Kuvend, të emërojë në krye të Autoritetit të Medias, Maklen Mishën, një individ thellësisht politik, siç emëroi në krye të institucionit për komunikimet elektronike, shefin e tij të protokollit. Maklen Misha, themelues i partisë G99 me Erion Veliajn, shkrues i fjalimeve të Edi Ramës, është projektuar të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s. Edhe 3 pseudokandidatët e tjerë, që mbushin garën formale, janë rrogëtarë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Me këto kandidime partiake, Autoriteti i Medias degradon në një gjykatë politike që ndëshkon gazetarët dhe mbyll portalet sipas interesit të Edi Ramës" tha demokratja.