E shtunë, fundjavë...larg zhurmës së Tiranës, larg politikës!
Fundjava e ka gjetur kreun e Partisë Demokratike në skajin verior të Shqipërisë, në Valbonë. Ndërkohë që shumica e shqiptarëve zgjedhin që në fundjave të marrin rreze buzë detit, Basha ka zgjedhur ajrin e pastër të Parkut të Valbonës.
I veshur sport dhe me kapele, në rrjetet sociale kreu i PD ka publikuar edhe një video 360 gradë që tregon bukuritë e natyrës në këtë vend.
"Sot ekspeditë alpine nga Valbona në Theth: Një mrekulli e papërshkrueshme me fjalë. Nuk ka vend më të bukur se i yni! Le ta kthejmë në bekim për çdo shqiptar", shkruan Lulzim Basha në rrjetet sociale.
Ndërkohë koincidencë apo jo, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga fshati Rrogam i Tropojës. Nuk dihet nëse Rama ishte apo jo në këto zona, por në përshkrimin e videos ndalet tek turizmi në bujtinat e fshatit Rrogam.
"Në fshatin Rrogam të Tropojës me shijen e mirë që të lë mikpritja e Kol Gjonit, tropojanit që pret turistë nga e gjithë bota në bujtinën e tij, shtëpi e të parëve ndërtuar me gur në zemër të Alpeve. Kërkesat për të bujtur në shtëpinë e tij janë aq të mëdha sa ai planifikon ngritjen e një tjetër ndërtese tradicionale me kapacitete akomoduese shtesë dhe për iniciativa të tilla, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural vijon të mbetet një derë e hapur e mbështetjes financiare", shkruan Rama në Facebook.