Report TV -Një tjetër viktimë nga COVID-i, 53 raste të reja, infektohet muzikanti në Përmet

2020-06-20 1

TIRANE- Një 70 vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv duke humbur luftën me COVID-in duke e çuar në 43 numrin e viktimave nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri. Në 5 ditët e fundit janë shënuar 7 viktima. "Në 24 orët e fundit një 70 vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë mjekimin intensiv dhe përkujdesin e mjekëve. 70 vjeçarja e prekur nga Covid19, vuante nga një formë e rëndë e leukozës" thekson ministria e Shëndetësisë. Për fat të keq vijon që të ketë shtrime të reja te qytetarëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, duke përfshirë dhe moshat e reja 30-40 vjeç. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 320 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 53 raste positive, kryesisht raste të reja si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 26 të prekur në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Krujë, 4 në Vlorë, nga 3 raste në Fier dhe Pogradec, nga 2 raste në Kukës dhe Lezhë, nga 1 rast në Durrës dhe Përmet. Në vendin tonë janë aktualisht 722 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Në hartën e të prekurve ka hyrë Pogradeci me 3 raste të regjistruara. Ndërkohë mjekët epidemiologë po gjurmojnë kontaktet si dhe janë izoluar familjarë dhe kontakte të afërta të të 3 rasteve. Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 12 qytetarë, duke e çuar në 1126 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.