TIRANE-Një ditë pasi Komisioni i Venecias i dha të drejtë Ilir Metës për debatin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe po ashtu rrëzoi shumicën socialiste për paketën Anti-shpifje, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla doli në një konferencë për mediat. Ai u shpreh se "Venecia" u ka dhënë të dyja palëve të drejtë dhe i kërkoi Presidentit Meta e opozitës jashtë parlamentit që të mos i lexojnë raportet si tifozë të ndonjë ekipi të kategorisë së tretë.
Pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, Balla tha se do të nisë puna dhe për këtë i shtriu dorën opozitës në parlament për ndryshimet në Kushtetutë për betimin. "Besoj se Komisioni i Venecias e ka thënë se mekanizimi zhbllokues për betimin të vendoset në Kushtetutë dhe kjo besoj është e qartë, Venecia e pranon vendosjen në Kushtetutë" tha ai.