GJIROKASTËR- Gjykata ka lënë në burg Janaq Koletën, 67-vjeçari i cili dy ditë më parë vrau fqinjin e tij për një pelë.
Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se gjyqtarja e çështjes ka marrë në konsideratë provat e servirura nga ana e Prokurores Ermira Menelli, sipas së cilës 67-vjeçari paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Edhe pse avokati Shpëtim Meçi kërkoi një masë më të lehtë, me argumentin se Koleta ishte sëmurë dhe kishte pranuar fajin, por edhe për faktin se vdekja ka qenë aksidentale, togat e zeza caktuan masën e sigurisë 'Arrest me burg'.
Si ndodhi sherri? Agresori dyshonte se viktima i kishte marrë pelën, pavarësisht të insistimin nga ana e këtij të fundit se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Debati ka agravuar, ku Koleta e ka qëlluar me shkop në këmbë dhe në tentativë për t'u larguar, Xhavara është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në një shtyllë druri, duke marrë dëme të shumta në kokë. Referuar dëshmisë së Koletës dhënë përpara uniformave të blu, Koleta pranoi fajin, por tha se nuk kishte qëllim ta vriste, por vetëm ta trembte.