Xhaferi nënshkruan vendimin për zgjedhjet, KSHZ-ja përditëson afatet

2020-06-16 0

Zgjerohen afatet e votimit, varësisht strategjive për mbrojtje nga virusi korona. Fushata zgjedhore do të fillojë më 24 qershor dhe do të zgjasë 20 ditë. Më 13 korrik do të votojnë personat në izolim dhe vetizolim, përfshirë edhe ata me pozitiv me virus.

KSHZ-ja obligohet që nëpër komuna, varësisht numrit të këtyre personave, të formojë një ose më shumë këshilla zgjedhor, të përbërë nga tre nëpunës shëndetësor të cilët do të zbatojnë votimin. Në këto këshilla, edhe partitë politike mund të emërojnë vëzhguesit e tyre.

Më 14 korrik do të votojnë personat e sëmurë dhe të sëmurët kronik të cilët gjithmonë votojnë një ditë përpara ditës së zgjedhjeve.
Më 15 korrik, votimi do të fillojë si zakonisht në ora 7 të mëngjesit por do të zgjasë deri në ora 21.

Ministria e Punëve të Brendshme ka afat një-ditor për të dorëzuar në KSHZ të dhënat e personave që kanë përditësuar dokumentet e identifikimit ose që do të mbushin 18 vjet deri në ditën e votimit.

Gjatë fushatës, radiodifuzerët mund të transmetojnë gjithsej 14 minuta program të paguar politik për një orë reale. Gjashtë minuta u takojnë dy partive më të mëdha në pushtet, gjashtë minuta dy partive më të mëdha në opozitë dhe dy minutat për partitë e tjera.
KSHZ-ja do të vazhdojë aktivitetet zgjedhore të mbetura pezull pasi pranoi Aktvendimin për zgjedhjet të plotësuar me datën e re, nga kreu i Kuvendit Talat Xhaferi.

Aktvendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Aktvendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 15 korrik 2020 e nënshkrova mbrëmë dhe i njëjti u arkivua dhe u dërgua në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ministrinë e Drejtësisë, me çka mbahet llogari për afatet për ditët e përcaktuara në Kushtetutë - deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit në largim.

Fatlume Dervishi