TIRANE-Sot ka mbërritur pjesa e dytë e pajisjeve, mbështetje për institucionet shëndetësore shqiptare, ndihmë nga Bashkimi Europian me qëllim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për përballimin e luftës kundër COVID19.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca deklaroi se BE do të vijojë të jetë krah Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, si ditën e parë të epidemisë. ?Këto pajisje padyshim do të ndihmojnë sistemin shëndetësor shqiptar për përballimin e situatës por dua t?i bëj një apel çdo qytetari shqiptar që të respektojë rregullat e vendosura nga autoritetet pasi kriza nuk ka mbaruar, ndaj bëni kujdes sepse vetëm bashkë mund ta përballojmë këtë situatë?, tha ambasadori Soreca.
Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në vlerën 4 milion Euro, kjo ishte mbështetja e dytë për institucionet shëndetësore shqiptare.
Në këtë paketë me vlerë 650 mijë euro janë të përfshirë 5 autoambulanca të cilat do të shërbejnë për fuqizimin e urgjencës paramjekësore në territor, 15 respiratorë transporti, 20 oksigjeneratorë, 140 maska nazale, 140 maska fytyre, 750 sete intubimi, 55 laringoskopë dhe 57 pulse oksimetra, pajisje të cilat do të ndihmojnë në forcimin e kapaciteve të shërbimeve të reanimacioneve në vend. Brenda pak ditëve pritet që të mbërrijë në vend dhe mbështetja me 100 shtretër me vlerë prej 126 mijë euro.