Kushtet e opozitës parlamentare për Zgjedhoren, Meta: Jo çështje ime, unë mezi po pres ta firmos

2020-06-12 0

Kreu i shtetit Ilir Meta u shpreh se nuk është cështje e tij fakti që opozita parlamentare kundërshton votën pro për reformën zgjedhore pa u plotësuar kushtet e tyre. Edhe pse më parë ai e ka kritikuar si jo legjitim këtë parlament duke njohur vetëm 82 mandate, sot ritheksoi se mezi po pret kalimin në këtë kuvend me 84 vota për ta dekretuar.

"Kjo nuk është cështje e imja si president, e kam përshëndetur në kohë, futja e elementit biometrik që garanton se një qytetar voton vetëm një herë. Kjo marrëveshje e sforcuar. Mos harrojmë që në 2008 unë dhe disa kolegë të tjerë kemi bërë një grevë një javë në parlament që të mos mbylleshin listat. Por të gjitha nuk janë më kaq të rëndësishme përpara rivendosjes sa më të shpejtë të legjitimitetit qoftë sa më bazik të gjithë institucioneve.

Nga Kuvendi, që ju kujtoj që zëvendësimet kanë qenë në kundërshtim me kushtetutën, tek fakti që sot mungojnë 18 deputetë. Mendoj që kjo është arsyeja që i detyrohet edhe sekretari amerikan i shtetit, që ka kaq shumë probleme të tjera në gjithë botën, të theksojnë rëndësinë e kësaj marrëveshje për të forcuar demokracinë. Kemi probleme imediate, që të mos kemi më këshilla politik, si këshilla popullor para çlirimit, të kemi vetëm një parlament, që politika dhe konsensusi bëhet në parlament. Kjo marrëveshje është meritë e partnerëve tanë. Unë mezi po pres që ajo të vijë këtu dhe unë ta firmos menjëherë" tha Meta.