TIRANE-Në dy ditët e fundit janë arrestuar 38 drejtues mjetesh, janë vendosur 1051 masa administrative dhe 62 motomjete janë bllokuar në kuadër të planit operacional "Tispol - Motomjete 2020".
Për dy ditë me radhë, policia thotë se u organizuan kontrolle në rrugët urbane dhe interurbane, si dhe në rrugët rurale, për motomjetet dhe mjetet në përgjithësi, për pajisjen me dokumentacionin përkatës.
"Si rezultat, në të gjithë vendin gjatë dy ditëve u proceduan penalisht 79 drejtues motomjetesh, nga këta janë arrestuar në kushtet e flagrancës 38 prej tyre, konkretisht 33 për drejtim motomjeti pa leje drejtimi dhe 5 për drejtim motomjeti në gjendje të dehur.
Janë vendosur 201 masa administrative për drejtim të motomjetit pa kaskë mbrojtëse, si dhe janë vendosur dhe 850 masa për mangësi në dokumentacionin e motomjeteve" deklaron policia e shtetit.
Policia Rrugore thekson se do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, për të gjitha kategoritë e mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.