Report TV- 'Këshill Politik për Drejtësinë', Ruçi kundër Metës: Askush s'mund të cenojë këtë reformë

2020-06-10 2

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka dalë kundër propozimeve të presidentit Ilir Meta për të krijuar Këshill Politik dhe për ndryshimet ligjore për reformën në drejtësi duke thënë se askush nuk do të cenojë këtë reformë apo të zhbëjë ato që janë arritur deri tani. këto deklarata të Ruçit u bënë në mbledhjen e Këshillit të integrimit, ku në të njëjtën tavolinë ndodhej dhe presidenti Ilir Meta.

"Hapja e negociatave është një fitore kombëtare. Këshilli Politik është dakordësuar për reformën zgjedhoren dhe kjo do të kontribuojë në realizimin e zgjedhjeve me standardeve ligjore. Nuk do të lejojmë që të zhbëhet apo cenohet, apo ngadalësohet reforma në drejtësi", tha Ruçi.

Në draftin me 14 pika që Presidenti i paraqiti opozitës jashtëparlamentare dhe ambasadores së SHBA, Yuri Kim, Meta kërkon ngritjen e një Këshilli Politik, që do të vendos për ndryshimet ligjore e Kushtetuese në Reformën në Drejtësi. Me Këshillin Politik njësoj si ai i ngritur për reformën zgjedhore, Presidenti Meta kërkon të njëjtën gjë edhe për Drejtësinë duke i hequr të drejtat për të vendosur parlamenti dhe gjithçka të vendoset në një tryezë politike mes partive.