Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje palëve sot që të miratojnë sa më shpejt në parlament Reformën Zgjedhore, por opozita në parlament ka kushtëzuar votën me kërkesat për hapjen e listave dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Report Tv e pyeti sot Presidentin nëse do të ndërmarrë ndonjë iniciativë për të siguruar 84 votat në Kuvend për të kaluar reformën, por kreu i shtetit u përgjigj duke thënë se "Nuk jam më kryetar i Kuvendit prej tre vitesh" duke ia kaluar topin kryetarit të Kuvendit.
Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, Meta thotë se nuk zgjidhi gjithcka, por ishte një hap për të vijuar rrugën e dakordësimit mes palëve. "Dita e sotme në këshillin kombëtar të integrimit ishte mjaft e rëndësishme për detyrat e mëdha që duhet të përmbushim sepse metodologjia e re e zgjerimit pas propozimeve të Francës mund të sjellë edhe kthim pas të procesit dhe arritjeve.
Dua të vlerësoj dakordësimin e fundit të këshillit politik për reformën zgjedhore jo si marrëveshje që zgjidhi gjithcka, por hapi i mjaftueshëm për të vijuar të ecet në rrugën e dakordësimit për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të rivendosur legjitimitetin e institucioneve, por edhe sikur e kërkojnë edhe kushtet e BE-së që janë shumë të qarta në këtë drejtim. Cilësia e zgjedhjeve është kryesore, po të ishte për datën për mua duhet të ishte dje për legjitimitetin e institucioneve".