Numri në rritje i rasteve aktive me virus korona rrezikon 5 korrikun si datë të mundshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për VMRO-DPMNE-në, kjo mbetet e papranueshme.
Ajo që tani është e rëndësishme dhe shqetësuese është se qeveria e Zoran Zaevit nuk vepron me logjikë edhe përskaj numrave të përditshëm të të infektuarve të rinj dhe të vdekurve - tha Ivanka Vasilevska, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja nuk ka ndryshuar qëndrim, edhe përskaj kundërshtimeve nga opozita.
Në rast se gjendja e jashtëzakonshme përfundon në afatin e paraparë, atëherë 5 korriku është dita kur sipas ligjeve dhe Kushtetutës, duhet të mbahen zgjedhjet -u shpreh Stefan Vasev, LSDM.
BDI-ja vlerëson se shifrat e kësaj jave të të infektuarve do të jenë vendimtare për përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Të bëjmë një prerje të trendeve epidemiologjike, një vlerësim të Komisionit dhe pastaj, varësisht kësaj do të pozicionohemi si Qeveri; do të kërkojmë gjendje shtesë të jashtëzakonshme ose jo. Kjo do ta përcaktojë edhe datën e zgjedhjeve - deklaroi Bujar Osmani, BDI.
Këto qëndrime nuk dallojnë aspak nga pozitat të cilat partitë i mbrojnë prej javësh. Por, jozyrtarisht flitet se tani zhvillohen bisedime ndër-partiake për mundësinë e realizimit të zgjedhjeve më 12 korrik. Asnjëra nga partitë nuk i konfirmon këto informacione por, në rast se ka konsensus, kjo nënkupton se do të nevojitet gjendje e jashtëzakonshme edhe për një javë tjetër.
Fatlume Dervishi