Negociatat me BE-në, ekipet e punës nuk janë gati

2020-06-08 0

Në pritje të një takimi të ri të liderëve për datën e zgjedhjeve, zv/kryeministri, Bujar Osmani fton Presidentin dhe liderët të arrijnë konsensus mbi-partiak, kombëtar për euro-integrimet, ndonëse konsensusi i këtillë asnjëherë nuk ka munguar.

Tani kur presim kornizën negociuese, mbledhjen e parë ndër-qeveritare, tani është momenti për t?u ulur, për t?i dhënë dorën njëri-tjetrit për të garantuar se deri në ditën kur do të bëhemi anëtar të Bashkimit Evropian ne do të jemi me një zë karshi BE-së, se BE-ja nuk na sheh si Qeveri ose si opozitë, por si shtet me parimet e saja- deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Për të disatën herë më radhë, Osmani ftoi mediat në konferencë për fillimin e negociatave me BE-në, por as këtë herë nuk prezantoi ekipet negociuese të vendit që do ta udhëheqin procesin e komplikuar.

Po punohet në vazhdimësi në përgatitjen e grupeve negociuese, një numër i madh i njerëzve veçmë janë përcaktuar, janë definuar se kush do të jenë, kam biseduar me ata, shumica prej tyre kanë pranuar të jenë pjesë e trupave negociuese, por prandaj nuk dua ta rrumbullakoj procesin pa e arritur këtë marrëveshje shtetërore për negociatat me qëllim që edhe opozita të jetë pjesë e të gjitha strukturave të këtij procesi- deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Madje në kohë kur Parlamenti është jofunksional, Osmani theksoi rëndësinë e grupeve mbikëqyrëse parlamentare për euro-integrimet, të cilat me kthimin e Kuvendit do të funksionojnë edhe pa ftesën e Osmanit. Komisioni Evropian është në përfundim e sipër të kornizës negociuese, pas çka do të kalojnë edhe disa muaj derisa e njëjta të harmonizohet nga të gjitha shtetet anëtare e mandej të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare, që do ta shënojë fillimin zyrtar të negociatave mes vendit dhe BE-së.

Kamerman-Novica