Kadastra shqiptare ka hapur sot zyrtarisht procesin e regjistrimit fillestar në 8 zona kadastrale në bregdetin e Jugut. Bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në një nga drejtoritë më problematike, në Kadastrën e Vlorës. Konkretisht do të jenë 21 mijë e 700 pasuri që pritet të regjistrohen dhe përfitues do të jenë 8000 banor.
Procesi i regjistrimit do të fillojë në Palasë, Dhërmi, Vuno, Lukovë, Gjilekë, Ilias, Himarë, Nivicë. (tabela).Drejtori i Kadastrës Artan Lame bëri të ditura edhe detajet se çfarë pronash do të regjistrohen në këtë proces."Fillon procesi i regjistrimit të pronave në bregdetin e Jugut. Regjistrimi i pronës në jug, është operacioni më i madh kadastral i ndërmarrë nga shteti shqiptar në atë zonë. Ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private, kryesisht toka të përfituara me AMTP (përmes ligjit 7501/1991), shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara, etj. Gjithashtu, procesi do të trajtojë edhe rreth 5200 pasuri shtetërore, kryesisht prona të institucioneve publike, vepra infrastrukture, kullota, pyje, etj. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 banorë, rezidentë apo të emigruar të këtyre zonave", u shpreh kreu i Kadastrës.
Pas largimit të 7 drejtorëve në 8 muaj, Kadastra e Vlorës është bërë pjesë e një ngërçi duke lënë procese pezull dhe konsiderohet si një nga pikat më të nxehta të çështjeve të pronave të pazgjidhura në vend. Për këtë arsye i gjithë procesi i regjistrimit do të drejtohet e monitorihet nga specialistët e Kadastrës së Tiranës.