Pas sherrit në lokal, ekzekutohen në pritë dy vëllezër në Krujë! Autori i dënuar për vjedhje!

2020-06-05 1

Dy vëllezër u ekzekutuan me armë zjarri kallashnikov mbrëmjen e së enjtes në fshatin Gramëz të Krujës. Viktimat janë Gramoz dhe Xhontil Bardhi 34 dhe 24 vjeç. Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në spitalin e Traumës. Mbrëmjen e djeshme pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:25 e ndërsa policia ka identifikuar autorin, bashkëfshatar i viktimave Roland Pula 32 vjeç, për kapjen e të cilit u angazhuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe 2 dronë nate. Policia gjeti të braktisur pranë pompave të ujit në fshat makinën e autorit ku shumë afër ka edhe banesën, ndërsa vijon krehja e zonës për të bërë të mundur arrestimin e 32-vjecarit. 

Autori Roland Pula ka qenë arrestuar në 2008, ndërsa 2 vite më pas ka dalë nga burgu pas dënimit për tre akuza, armëmbajtje, plagosje dhe kanosje. Roland Pula njihet në zonë si person mjaft problematik. Por cili është shkaku i vrasjes? Ne hetim janë dy pista.

Report Tv mëson se një dekadë më parë vëllai i dytë i viktimave plagosi me thikë xhaxhanë e autorit. Për krimin, ai kreu dënimin dhe doli nga burgu. Dy familjet kanë pasur përplasje të vazhdueshme për këtë ngjarje dhe asnjëherë lidhje miqësore. Madje, dy palët janë konfliktuar dhe rrahur me njëri tjetrin edhe më parë.

Gramoz Bardhi ishte i martuar. Ai la nusen dhe dy vajza të vogla. Familja Bardhi kishte 4 djem. Gramozi dhe Xhontili u vranë mbrëmë, ndërsa 2 të tjerët ndodhen jashtë vendit. Prindërit e dy viktimave kanë hapur sot dyert e mortit.