Policia e Durrësit ka vënë në pranga organizatorin dhe poseduesin e 38 kilogramë heroine, që u kapën dy javë me parë në Portin e Durrësit dhe që kishin si qëllim trafikimin drejt Italisë.
Në vijim të operacionit të koduar "Parkingu" u arrestua Pirro Çapi 55 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Por si u zbulua heroina dy javë më parë? 38 kg heroine u kapën në një kamion në Portin e Durrësit mbrëmjen e 17 majit. Kamioni në të cilën ndodhej lënda narkotike ishte gati për të nisur drejt Bari e Italisë, por u zbulua nga policia kufitare e Durrësit. Në pranga u vu drejtuesi i kamionit Dhimitër Zykaj, 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, i cili po transportonte lëndën narkotike drejt Italisë.
Lënda narkotike ishte e darë dhe paketuar në 68 pako, mbi të cilat shënoheshin 3 kode, me kryq me ngjyrë të kuqe, të zi dhe kafe, që tregon se heroina kishte destinacion për tre grupe të ndryshme kriminale.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të kamionit në vijën e dytë, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehta brenda të cilëve ishin fshehur 68 pako me heroinë, me peshë totale rreth 38 kg. Kamioni-trajleri po transportonte një skaf të prodhuar në Shqipëri drejt Italisë tek blerësi italian.