TIRANË- Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër presidentit Ilir Meta, ku i kërkon që të propozojë një emër për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në letër, shkruhet se Ruçi i ka kujtuar kreut të shtetit se Kuvendi ka muaj që po pret një emër për kreun e KLSH-së, duke theksuar se duhet të respektojë afatet.
Pas letrës ka reaguar Presidenti përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi. "Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka marrë një letër pak ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për çështjen e KLSH.
Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH. Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve".
Në krye të KLSH-së aktualisht është Bujar Leskaj.
Atij i ka mbaruar mandati, por u rikthye sërish në detyrë me një procedurë e cila është cilësuar e paligjshme nga disa aktorë politikë.