FIER- Edhe në Fier fëmijët i janë rikthyer çerdheve dhe kopshteve. Të shoqëruar nga prindërit ata janë ulur në grupet e tyre të caktuar më parë krahas masave të marra për zbatimin e protokollit ne kushtet e pandemisë. Për të parë nga afër masat e marra nga kopshtet dhe çerdhet ne kemi bërë një vëzhgim në disa prej tyre. Nën rregulla të forta sigurie, duke filluar që në hyrje të kopshtit ka tabela dhe informacione për masat që janë marrë dhe duhet të marrin prindërit para se të hyjnë me fëmijët në institucion.
Në çerdhen nr 3 dhe kopshtin nr. 5 dhe 6 kishte zbukurime shumëngjyrëshe të vëna me këtë rast në të gjitha ambientet ku duhet të qëndronin fëmijët. Por ajo që bie në sy është pjesëmarrja e fëmijëve, e cila ka qene e paktë në numër sipas grupeve. Frika e Covid -19 i ka stepur prindërit për t'i sjellë. Drejtoresha e kopshtit nr. 5 shprehet se kushtet janë shumë të forta dhe zbatohen sipas protokollit dhe prindërit të mos frikësohen pasi gjithçka është bërë sipas udhëzimeve të portokollit të lëshuara nga institucionet përkatëse.