TIRANE- 4 orë diskutime nuk kanë mjaftuar që palët në Këshillin Politik për reformën zgjedhore të arrijnë të gjejnë një konsensus. Duket se palët kanë dalë më të ndara se kurrë në lidhje me ndryshimin e sistemit, përdorimin e teknologjisë në zgjedhje dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.
Në mbledhjen e sotme që nisi nga ora 17:00 deri në orën 21:00 nuk ka dalë 'tym i bardhë' edhe pse numërimi mbrapsht për këtë reformë ka nisur dhe dita e nesërme shënon dhe afatin e fundit për t'u përmbyllur.
Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, të parët që dolën nga mbledhja, thanë se PS ka hedhur poshtë çdo propozim të ata kanë bërë dhe që sipas tyre garantojnë standardet në zgjedhje. Opozita joparlamentare tha se PS kundërshton teknologjinë në zgjedhje me argumente bajate se nuk mund të realizohet në një kohë që jep koncesione për çdo gjë të mundshme dhe nuk mund të pajisë me sistem biometrik 5 mijë qendra votimi.
"Të gjitha propozimet tona janë refuzuar pavarësisht fleksibilitetin tonë për çështje të caktuara. PS nuk ka interesin e qytetarëve dhe as reformën zgjedhore" tha Bylykbashi.
Kjo është hedhur poshtë nga përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri, i cili tha se ODIHR-i rekomandon vetëm 10 % të pajisjes së qendrave me i biometrik dhe jo në të gjithë territorin. Ai madje shtoi se nëse PD është dakord të bisedojnë me ODIHR dhe të gjejnë një zgjidhje pasi nëse në të ardhmen sistemi dështon, do të vërë në rrezik zgjedhjet.
Teknologjia në zgjedhje dhe depolitizimi i administratës janë dy çështjet madhore që ndajnë palët, por për Gjiknurin këto nuk duhet të bëhen sebepe për të hedhur në erë reformën, i cili shpreson ende për një konsensus.
Ndryshimi i sistemit diskutohet në një fazë të dytë tha Gjiknuri, por kjo ka revoltuar Rudina Hajdarin, e cila u shpreh se kishte propozuar një sistem me lista pjesërisht të hapura që përkrahej nga SHBA dhe ndërkombëtaret,por jo nga PS dhe PD. Ajo hodhi akuza të forta ndaj Liderit demokrat Lulzim Basha duke u shprehur se "nuk e kuptoj pse do ta mbajë Ramën perandor dhe nuk dëshiron ndryshim sistemi".
Sipas burimeve takimi i radhës do të mbahet sërish ditën e nesërme në orën 17:00, ku shënon dhe afatin e fundit për reformën zgjedhore, një afat i kërkuar me ngulm nga SHBA dhe BE që të respektohet.