Shembja e Teatrit Kombëtar është shndërruar në një mollë sherri mes qeverisë dhe opozitës brenda dhe jashtë parlamentit. Për të marrë më shumë informacione, opozita e re zhvilloi një interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Me akuza dhe replika, interpelanca zgjati 30 minuta, ndërsa ne emër të opozitës interpelanca u mbajt nga deputetja Rudina Hajdari.
Sipas Hajdarit, kryeministri është i fiksuar me truallin e Teatrit, ku kërkon të ndërtojë kulla. Teksa bëri një krahasim me ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, Hajdari tha se Tirana po betonizohet, ndërsa shembjen e Teatrit Kombetar e quajti një akt barbar."E shembët sepse doni të ndërtoni kulla. Pse ju duhen këto kullat? Më vjen keq që ju zoti kryeministër vazhdoni dhe abuzoni me pushtetin tuaj. Ajo që më vjen çudi është fakti se deri ku shkoni ju për ta marrë atë truall. Jeni në shndërruar në një Nikola Gruevski. Sot ju jeni po ai njeri dhe do keni po të njëjtin fat" tha Hajdari.
Nga ana e tij, kryeministri Rama zgjodhi t'i përgjigjej deputetëve të opozitës së re që me fjalët e aktorëve të cilët janë renditur pro teatrit të ri. Kreu i qeverisë citoi Robert Ndrenikës, Arben Derhemin, Luftar Pajën, Altin Bashën, Enver Petrovcin, Bruno Shllakun të gjithë njëzëri që kërkojnë një godinë të re.
"Unë i kam mbaruar fjalët e mia për Teatrin, nuk kam asgjë për të thënë dhe do të shfrytëzoj për të lexuar fjalët e atyre që kanë bërë teatrin, që janë teatri, e atyre që e nisën protestën për Teatrit dhe kur e nisën as ju, as ata të tjrët që tani janë kthyer në bij të lënduar të Shekspirit, jo vetëm që nuk ishit aty po ju ishte thënë që të mos guxoni të jeni aty", iu përgjigj Rama.
Mes kryeministrit Rama dhe deputetes Rudina Hajdari nuk munguan as batutat.