Qeveria do të vendosë për gjendjen e jashtëzakonshme

2020-06-02 0

Në orët e pasdites, në seancë Qeveria pritet të vendosë nëse do të propozojë vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Vendimi i Qeverisë do të vijë një ditë përpara skadimit të gjendjes së tretë të jashtëzakonshme e cila ka qenë në fuqi dy javët e fundit. Në rast se Qeveria propozon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për herë të katërt, vendimi për shpallje është në dorën e Presidentit Stevo Pendarovski. Presidenti për situatën me virusin do të mbledhë përsëri Këshillin e Sigurisë, të shtunën.
Gjendja e jashtëzakonshme shpallet me qëllim që Qeveria të ketë mundësi për të miratuar dekrete me fuqi ligji, kryesisht për masa ekonomike. Masat kufizuese, ekzekutivi mund t?i miratojë edhe duke mos qenë në gjendje të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, nga gjendja e jashtëzakonshme varet edhe data e zgjedhjeve. Dekreti në fuqi i Qeverisë për zgjedhjet parashikon mbajtjen e zgjedhjeve 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Megjithatë, nëse gjendja e jashtëzakonshme nuk vazhdon edhe pas të shtunës, deri më 5 korrik, si datë eventuale e përfolur për mbajtjen e zgjedhjeve, mbeten edhe 35 ditë. Vendimi i Qeverisë dhe më vonë i Presidentit për gjendjen e jashtëzakonshme pritet ta qartësojë edhe këtë ngatërresë juridike rreth këtyre afateve. Së fundmi, partitë kanë diskutuar edhe për një alternativë tjetër, ndryshimin e datës së zgjedhjeve në dekretin tashmë të nënshkruar për zgjedhjet e parealizuara të 12 prillit, nga kryeparlamentari Talat Xhafeti. Kreu i Kuvendit kohë më parë kishte hedhur poshtë mundësinë e çfarëdo veprimi tjetër nga ana e tij dhe nga ana e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si juridikisht të pamundur pas shpërndarjes. Megjithatë, tani ai ishte i pakapshëm për të sqaruar nëse kjo alternativë për të është ose jo e pranueshme dhe e zbatueshme.

Fatlume Dervishi