26 raste të reja me COVID, 20 në QSUT, 12 mjekë e infermierë dhe 8 pacientë! 11 të shëruar në 24 orë

2020-05-28 2

TIRANE-Vijon rritja e numrit të të infektuarve me COVID në Shqipëri. Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë radhazi pa raste të reja.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë, 5 më shumë se dje. Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma.

Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, pra në 24 orët e fundit janë infektuar 12 personel shëndetësor dhe 8 pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë, që është një infermiere, e cila ende nuk është zbuluar ku u prek.

ISHP deklaron se vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.