Ndoka: Ta marrë vesh Rama, unë jam akoma deputet! Në listat e PD? S'kam folur me Bashën

2020-05-27 0

TIRANE-Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka u shpreh në emisionin 'Pa Protokoll' se partitë e vogla e duan ndryshimin e sistemit, por shtoi se nuk ka kohë, pasi duhet te ketë më parë diskutime që të mos kundërshtohet dhe anatemohet. Sipas tij, diskutimet mund të vijojnë dhe nëse arrihet në një konsensus, në fuqi mund të jetë për zgjedhjet e tjera të 2025.

Por a ka pasur një propozim nga ambasada amerikane për ndryshimin e sistemit? "Nuk ka një propozim zyrtar në aspektin formal, që (ambasadorja e SHBA-së) të takonte kryetarët e partive dhe t'u dorëzonte dokumentin si e mendon Amerika. Ka një standard të dyfishtë, pasi në 2008 e kundërshtova ndryshimin e sistemit, që e kuptuan ku do të na shpinte ai sistem dhe në atë kohë SHBA-ja ka qenë në krah të ndryshimeve duke na ofruar një sistem bipolar, politikën amerikane. Hapat e sotme janë ndoshta edhe një ndjesë për atë periudhë, atë kohë.

Partitë e mëdha janë fajtore përgjegjëse për atë kohë. Rama e kërkoi me këmbëngulje. E shembi Kushtetutën që kur kërkoi që Presidenti të zgjidhet nga një shumicë e thjeshtë, përpara ka qenë me konsensus. Edhe PD-ja pati një përgjegjësi maksimale edhe pse ofroi konsensusin për hir të integrimit.

Zoti Basha është treguar i hapur për ta diskutuar ndryshimin e sistemit. Edhe LSI-ja me PD-në janë të prirur për ta ndryshuar sistemin, por nuk ndryshohet në muajt e fundit. Faktori ndërkombëtar që në momentin që mbarojnë zgjedhjet dhe i di dobësitë.

Të bëjmë një sistem, por jo të panjohur që të ikim nga shiu në breshër. Sistemi danez do edhe ndryshime territoriale, janë disa anë teknike do të ndryshojë organizimi i partive. Debati mund të vendoset dhe të vendoset në zgjedhjet e tjera, jo të radhës. Është një 4 vite të humbura kot? Po. Ne jemi për ndryshimin e sistemit, na favorizon edhe sistemi danez edhe ai para 2008" tha ai.

Mes Fatos Nanos dhe Edi Ramës, Ndoka zgjedh të parin dhe për këtë jep këtë argument "Fatos Nano kishte demokraci në parti, apo edhe Berisha. Në kohën e Nanos kishte votime, rrëzuan kryeministra, pati lëvizje, kishte zëra ndryshe. Sot kemi garnizion ushtarak".