PD bojkot e protesta! SHBA-BE vihen në lëvizje, Kim te Rama: Folëm për ngjarjet e fundit

2020-05-20 0

TIRANE-Ndërkombëtarët janë vendosur në lëvizje për zgjidhjen e ngërçit të ri politik të krijuar në Shqipëri pas shembjes së Teatrit Kombëtar që solli protestat dhe largimin e opozitës nga tryeza e Reformës Zgjedhore. Fillimisht, paraditen e sotme ambasadorët e BE-së në Tiranë zhvilluan një takim me Lulzim Bashën në selinë e PD-së, ndërsa në përfundim të bisedës, kryedemokrati në një prononcim për mediat njoftoi se bojkoti i Reformës Zgjedhore do të vijojë, pasi 'nuk mund të jemi fasadë' tha ai. 

Rreth dy orë më pas, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ngjiti shkallës e Kryeministrisë, hera e dytë brenda 4 ditëve. Takimi kokë më kokë me Ramën që zgjati për rreth 60 minuta u parapri nga një bisedë edhe me shefen e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga. Tema e diskutimit sigurisht që ishte aktualiteti politik, por më shumë dritë hodhi vetë ambasadorja në një postim në faqen zyrtare në Facebook. Ambasada e SHBA-së theksoi se Yuri Kim u takua me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit.Ambasadorja sipas njoftimit theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. Po sipas njoftimit të ambasadës së SHBA-së, Kim dhe Rama "u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë. Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti" mbyllet njoftimi.