Report TV - Pas gjobave, Basha dhe Kryemadhi procedohen për protestën e djeshme për Teatrin

2020-05-19 4

Pas gjobave që morën për thyerje të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit, tashmë për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur edhe hetimi në gjendje të lirë, për pjesëmarrje në protestën e djeshme për Teatrin.

Së bashku me ta janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se procedimet kanë nisur edhe për  artistët Robert Budinën, Neritan Liçajn, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa dhe Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi.

"Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Ndërkohë një ditë më parë, policia arrestoi Arben Qyranin, i cili hodhi shashka në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Policia tha një ditë më parë se Qyrani është i proceduar edhe më herët për "Tubim të paligjshëm" në vitin 2018, në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.