U gjobit bashkë me Bashën, Xhaferri i Durrësit: Opozita dhe e vërteta nuk mund të heshtet

2020-05-15 0

Kreu i degës së PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferri ka reaguar pas gjobave dje nga policia ndaj tij, Lulzim Bashës dhe disa personave të tjerë për shkak të grumbullimit në takimin politik duke thyer rregullat e vendosura kundër COVID-it.

"Të Martën, Kryetari i Opozitës Lulzim Basha bëri një vizitë në Durrës, gjatë së cilës takoi biznese përgjatë Bulevardit kryesor. Ndonëse bizneset ishin të larmishme, ato i bënte bashkë  shqetësimi për rrënimin ekonomik, i cili është qëllim i qeverisë Rama për Durrësin. Pike së pari, dua t'i bëj thirrje qeverisë të adoptoje menjëherë masat e propozuara nga Partia Demokratike për lehtësimin e situatës për bizneset.

Me keqardhje, jam sot përpara jush, për të vërtetuar se prioriteti i qeverisë, dukshëm, nuk është mbështetja për qytetarët dhe bizneset, por kufizimi i opozitës. Ne si opozitë, jemi mësuar me hakmarrjet politike të Ramës, por nuk mund të heshtim kur ai përpiqet edhe të rrënojë edhe të ndëshkojë bizneset e ndershme të Durrësit.

Një polici e urdhëruar është dëshmi se qeveria Rama është një qeveri në ikje. Coroditja dhe paniku i regjimit dhe si pasoje edhe i krereve të policisë që i shërbejnë, duken qartë edhe nga vetë masa e marrë. Sa qesharake aq edhe e turpshme: heqje patente për këmbësore.

Teksa vuajmë akoma pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, pandemia vetëm sa ka thelluar krizën ekonomike. Por, mbi të gjitha, pandemia vazhdon e vërteton paaftesinë dhe mungesën e dëshirës së qeverisë për t'ju përgjigjur problemeve të qytetarëve. Prioritetet e qeverisë janë interesat e oligarkëve dhe kufizimi i opozitës. Ju garantoj se opozita dhe e vërteta nuk mund të heshtet me gjoba" thotë ai.