Report TV - Lëkundjet në Dibër, kreu i Bashkisë: Ishin të lehta, nuk raportohet për dëme materiale

2020-05-14 1

Kryetari i Bashkisë së Dibrës, Dionis Imeraj tha në një lidhje telefonike për Report Tv se kanë qenë dy lëkundje të lehta dhe se deri në këto momente nuk raportohet për dëme apo emergjenca për shkaka të lëkundjeve. Imeraj tha se pas lëkundjes së parë grupet e emergjencave kanë dalë në terren për verifikimin e situatës, por që deri tani situata është e qetë.

"U ndjenë dy lëkundje që ishin të lehta dhe të shkurta. Deri në komunikimet e tanishme nuk kemi dëme materiale. Nuk u ndjen shumë si lëkundje dhe nuk ka nevojë për panik. Janë ngritur grupet e emergjencave në terren për emergjencat që mund të kenë", tha Imeraj.

Në lidhje me dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, Imeraj tha se fatmirësisht nga ky tërmet janë prekur vetëm 2 familje dhe aktualisht ndodhen të strehuara në shtëpi me qira që paguhet me bonusin e bashkisë.

"Tërmeti i 26 nëntorit në rrethin tonë në Dibër kanë qenë të prekura vetëm 2 familje dhe nuk janë më në çadra dhe janë sistemuar në shtëpi me qira që paguhet nga bonusi i bashkisë. Shpresoj të mos ketë asnjë dëmtim as me tërmetin e tanishëm", tha Imeraj.