I dënuar me 8 vite burg, arrestohet 28-vjeçari në Shkodër, autor i pengëmarrjes së bujshme

2020-05-14 1

Është arrestuar sot në Shkodër nga efektivët e forcave 'Shqiponja' Francesk Vala, një 28-vjeçar i dënuar me tetë vite burg për shkak të rrëmbimit të dy vëllezërve në Dukagjin. Vala cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa nuk rezulton të ketë vetë pasuri si pasojë e aktivitetit kriminal.

Lëvizjet e Valës në Shkodër, më saktësisht në zonën Rus, ishin pikasur prej ditësh nga policia, ndërsa 28-vjeçari prej 2015 kishte qëndruar në arrati. Burime bëjnë me dije se Vala nuk ka bërë rezistencë në momentin që është arrestuar, ndërsa më pas është shoqëruar në komisariat.Ngjarja e vitit 2015 në Dukagjin është cilësuar si e denjë për filma, pasi disa persona të armatosur u kanë bërë pritë dy vëllezërve duke i rrëmbyer. Më pas njëri prej tyre është lënë i lirë me kushtin që të sillte 10 mijë euro për të shpëtuar të vëllanë. Kjo ngjarje më tej u zbulua nga policia, ndërsa të gjithë personat e përfshirë rezultojnë të dënuar nga Gjykata e Krimeve të rënda.