Report TV - Meta: Rama dhe Veliaj tejkaluan kufijtë! Kushtetuesja të shfuqizojë vendimin për Teatrin

2020-05-14 0

Presidenti Ilir Meta pas depozitimit të padisë në Kushtetuese kundër vendimit për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar nga qeveria te bashkia e Tiranës me qëllim shembjen e tij, doli para medieve për të sqaruar arsyet. Kreu i shtetit u shpreh se shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Argumenti i Presidentit ishte se kjo është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Sipas tij, ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar. "Përpjekjet për shkatërrimin e këtyre pasurive materiale apo jomateriale, konsiderohen si shprehje e vullnetit të një pakice që për çdo arsye nuk ka legjitimitet për të vendosur për çështje kaq madhore që paraqesin interes të lartë publik në nivel kombëtar. Kjo përbën një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë".

Meta theksoi se nëse Teatri Kombëtar do të cenohej si godinë para vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës, atëherë pasojat do të ishin të parikuperueshme. Prandaj Presidenti kërkon nga gjykata Kushtetuese që të vendosë pezullimin e çdo veprimtarie apo akti që cenon godinat e Teatrit Kombëtar, "pezullim ky që duhet zgjasë derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë fuqi".