ReportTv siguron ekskluzivisht momentin kur i riu 22-vjecari Klevis Alla bashkëpunoi me policinë duke treguar se ku ishin fshehur armët e krimit të përdorura në atentatin ndaj vëllezërve Haxhia më 27 Prill 2020. Report Tv siguroi foton ku me pranga në duar, i riu tregon me gisht vendin ku në kanal ishin hedhur tre kallashnikovët në Arapaj.
Pas kësaj dëshmie kanë ndërprerë kërkimet polumbarët dhe forcat speciale të cilat kanë nxjerrë nga aty tre kallashnikovët. Aktualisht armët janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore ndërsa ato dyshohet se janë armë të përdorura edhe në atentatin ndaj Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit.
Ndërsa arritja tek të dyshuarit përfshi Allën dhe Ndocin erdhi pasi në vendngjarjen u gjetën mbetje të copëve të xhamit me mbishkrimin "Toyo..." të cilat i përkisnin mjetit ku sipas Allës ka udhëtuar ai dhe Ndoci.
Burime për ReportTv bënë me dije se Klevis Alla ka bashkëpunuar me policinë duke hedhur dritë edhe për disa ngjarje kriminale ndërsa po punohet për të faktuar deklarimet e tij edhe me prova, si në rastin e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të Allës në grabitjen e Rinasit. Pas kësaj dëshmie ai dhe familja e tij janë marrë në mbrojtjen e shtetit deri në përfundim të këtij hetimit.