Mbërrijnë në SPAK dokumentet e tenderave të Shëndetësisë,prokurori Klodian Braho merr në dorë dosjen

2020-05-11 8

TIRANË-Sot ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme anti-korrupsion dosja e tenderave të kryera nga ministria e Shëndetësisë në kohën e pandemisë. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se në dosje janë të gjitha dokumentet e kërkuara të ndara në 4 volume. Materialet e përcjella janë fotokopje e dokumenteve të prokurimeve. Dokumentet u dorëzuan me anë të postës ditën e premte nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa institucioni i hetimit sot i mori në dorë. Tashmë materialet do të verifikohen në SPAK nga prokurori Klodian Braho.

Report Tv mësoi dje ekskluzivisht nga SPAK-u se kjo prokurori të premten ridërgoi sërish një shkresë në ministrinë e shëndetësisë për marrje informacioni për tenderat sekret. SPAK sqaroi për Report Tv se 10 ditë pasi nuk morën përgjigje për shkresën e parë me pyetjet për vlerën e tenderëve dhe çfarë është blerë, ridërguan sërish një tjetër kërkesë.

E në rast se sërish s'do të marrin përgjigje prokurorët do të zbarkonin në zyrën e ministres për t'i sekuestruar këto dokumente. Por ditën e premte ministria më anë të postës iu përgjigj SPAK-ut duke i dërguar dokumentet e kërkuara.

Prej tre ditësh, opozita denoncon se ministrja Manastirliu i ka djegur këto dokumente, ndërsa nuk mungoi reagimi nga Shëndetësisë e cila tha se ky pretendim për zjarr imagjinar është i pavërtetë dhe tymi del vetëm nga koka e Bashës. Sot Bardh Spahia ngriti 4 pyetje për ministren Manastirliu.

Me marrjen e dokumenteve pritet që brenda 2 javësh deri në 1 muaj prokurori Braho të vendosë se çfarë do të bëjë, nëse do të kërkojë marrjen në pyetje të personave që kanë firmosur, anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, apo të bashkëpunojë me KLSH-në, që ka nisur për të njëjtën cështje një hetim administrativ.

Free Traffic Exchange