Tavë me krap nga zonja Vjollca

2020-05-11 1

Tavë me krap
Përbërësit:
1.2 kg krap
Kripë dhe piper i zi
1 lugë gjelle miell
Vaj për skuqje

Salca:
4-5 kokrra qepë
1 copë pistil (80 gr)
1 filxhan çaji pure domate
4 domate + 1 lugë çaji sheqer
2 gjethe dafinë
1 kokërr hudhër + 3 lugë gjelle uthull
1 gotë verë e bardhë
Kripë dhe piper i zi
Vaj ulliri
Përgatitja:
Peshkun të pastruar mirë e të prerë në feta e marinojmë me kripë dhe piper të zi, e pudrosim lehtë me pak miell dhe në një tigan me vaj të nxehtë për skuqje e kalojmë peshkun për t?I dhënë vetëm një faqe të lehtë. E largojmë dhe e lëmë mënjëanë.
Në një tigan të thellë me vaj ulliri kaurdisim qepën të prerë në fije. E kaurdisim qepën pa I dhënë ngjyrë, por të zbutet mirë. Shtojmë tek qepa pistilin të copëtuar, të zbutur pak në ujë, I kaurdisim së bashku duke shtuar më pas salcën e domates, 1 lugë gjelle koncentrat salce ose një filxhan çaji pure domate. E përziejmë mirë. Shtojmë domatet të copëtuara në copëza, 1 lugë çaji sheqer, e përziejmë dhe I vendosim kapakun duke e lënë domaten të ziejë në temperaturë mesatare për 10 minuta.
Shtojmë hudhrat, 2 gjethe dafinë, gjysmë gote ujë dhe e lëmë të ziejë dhe për 5 minuta.
Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe uthull. Në një tavë shtrojmë fillimisht salcën e përgatitur dhe I vendosim sipër copat e krapit.
Shtojmë në fund një gotë vere të bardhë, spërkasim pak peshkun me vaj ulliri që të mos thahet dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius derisa salca të mpikset siç duhet rreth 30 minuta.