'Bomba ekologjike' në Vorë, zyrtari i bashkisë: Lumin s'e kemi ne, por shteti! Mbetjet nga Tirana

2020-05-11 0

TIRANE-Pas disa ditësh insistim sot një zyrtar pranoi që të flasë për 'bombën ekologjike' të lumit në pjesën e bashkisë së Vorës. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ishte sot me specialistin e pronave dhe pyjeve të bashkisë Vorë Ardian Garipi në këtë pjesë të lumit në urën që lidh kryeqytetin me Qafë Kasharin dhe Rinasin.

Garipi tha se bashkia nuk e ka në kompetencë lumin dhe se për situatën duhet që të përgjigjet agjencia e menaxhimit të burimeve ujore. Ai tha se bashkia me stafin e saj mund të bëjnë një pastrim të lehtë, por nuk kanë mjete dhe mundësi dhe se për këtë duhet të marrin leje, pasi është jashtë kompetencave të tyre."Në lidhje me shqetësimin tuaj, bashkia Vorë ngriti një grup pune dhe bëmë verifikimet, u konstatuan mbetje ndër vite. Prurje të ardhura nga qyteti i Tiranës. Për këtë punë kompetente është qeveria. Lumi nuk është në pronësinë tonë, por të shtetit, ne kemi vetëm pyllin. Pronari i lumit nuk jemi ne, por shteti. Duhet një bashkëpunim, edhe nëse do të ndërhyjmë duhet të marrim një leje. Për pastrimin e këtij shtrati kompetente është agjencia e menaxhimit të burimeve ujore" tha ai.

Report Tv po e ndjek këtë problematikë prej disa ditësh, ndërsa ping-pongu mes institucioneve vijon, edhe pse Sandër Lleshaj tha pak dië më parë se do të nisë aksioni në të gjithë vendin për pastrimin e lumenjve.