27 njerëzve u ka marr jetën gjatë 24 orëve të fundit koronavirusi në Itali. Virusi i rrezikshëm po përshpejton ritmet e përhapjes duke e çuar në total 79 numrin e të vdekurve, ndërsa atë të të prekurve e ka çuar në 2263.
Ritme të shpejta përhapjeje virusi po shfaq në gjithë Europën. E dyta pas Italisë renditet Franca, që numëron 4 viktima e 204 të infektuar. Mes masave të reja drastike kundër përhapjes së virusit, presidenti francez Emmanuel Macron urdhëroi që të gjithë ata që shfaqin simptoma infektimi të mbajnë maska me detyrim. Ndërsa në Gjermani janë 188 të infektuar.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i viktimave arriti në 6 dhe në 107 i të infektuarve. Përpjekjeve për gjetjen e ilaçit i është bashkuar edhe ushtria amerikane.
"Laboratorët ushtarakë po punojnë në vazhdimësi, jo vetëm për të gjetur vaksinën por për në të gjitha mundësitë. Po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shëndetësore civile".
Autoritetet koreanojugore angazhuan ushtrinë për dezinfektimin e zonave të prekura nga koronavirusi, teksa numri i të prekurve ka arritur në mbi 5 mijë, çka e rendit vendin menjëherë pas Kinës. Mbi 3100 është numri total i viktimave në gjithë botën e mbi 93 100 ai i të infektuarve.