DURRES-45 persona nga qytete të ndryshme janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje pas vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e djeshme në lagjen 14 Shkozet në qytetin bregdetar. Megjithatë deri tani nuk ka asnjë të ndaluar. Burime nga grupi hetimor në Durrës pohojnë për gazetarin e Report Tv, Artur Korriku se Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza u ekzekutuan në mënyrë mafioze të mirë organizuar nga vrasës profesionistë me pagesë në një zonë ku nuk ka kamera sigurie. Autorët kishin studiuar mirë lëvizjet e dy të rinjve. Avdia dhe Shkoza ishin duke ecur në këmbë kur u qëlluan me pistoletë për vdekje nga një makinë tip 'Benz'.
Hetuesit po shqyrtojnë aktivitetin e shkuar të viktimave për të përcaktuar edhe pistat e hetimit. Situata ende është e paqartë për grupin hetimor, ndërsa pista e parë ku po hetohet lidhet me prishjen e pazareve të drogës ose konflikte të tjera. Dorian Shkoza 35 vjeç ka qenë i dënuar 8 vite për drogë dhe ka dalë nga burgu në fund të 2010-ës.Ndërsa lidhur me Anxhelo Avdinë, burimet bëjnë me dije se disa kohë më parë ka qenë në Angli, ndërsa po hetohet aktiviteti i tij atje, pasi ka dyshime se është përfshirë në trafik të lëndëve narkotike duke përforcuar më tepër pistën e prishjeve të pazareve në këtë fushë.
Vetëm pak minuta pas vrasjes së dy të rinjve, në hyrje të Rrogozhinës, në vendin e njohur si ?Bishti i Zhurit? policia gjeti një mjet tip 'Benz' duke u djegur, targat e të cilave kanë qenë të vjedhura nga një tjetër. Makina është përdorur nga vrasësist që më pas i vendosën zjarrin për të humbur gjurmët.