TIRANË - 36 është numri i rasteve të dyshuara me koronavirus në Shqipëri, të cilët pasi kanë kryer analizat në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik kanë rezultuar negative.
Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një deklaratë për mediat, tha se rastet e testuara janë persona që kanë pasur histori udhëtimesh në vendet ku ka shpërthyer epidemia, si dhe që kanë shfaqur probleme respiratore.
Deri më tani, në total janë kontrolluar 17.830 udhëtarë në pikat kufitare, ku mes tyre vëmendja më e veçantë ka qenë ndaj atyre të kthyer nga Italia, apo shtete të tjera të prekura, të cilëve u sugjerohet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë. Nga këta, janë 39 udhëtarë që u janë sugjeruar vetëkarantinim, dhe nëse pas telefonatave edhe me numrin e gjelbër 127, gjendja shëndetësore vështirësohet, rastet shkojnë tek Shërbimi Infektiv - tha Tomini.
Ndërkohë, në numrin 127, deri më tani janë bërë 1649 telefonata - tha Eugena Tomini, dhe vetëm 39 kanë lidhje me historik udhëtimi me Italinë apo probleme respiratore.
Testimet sipas Tominit - bëhet sipas rekomandimeve universale sipas protokolleve të OBSH-së.
Për 5 rastet e fundit që kanë rezultuar negative ditën e djeshme, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik tha se pasi janë marrë mostrat e tyre dhe pasi kanë dalë përgjigjet negative për koronavirus rreth pas 8 orësh, ata janë shtruar në pavion, sepse përjashtohen si raste të dyshuar me COVID - 19.