TIRANE-Prej orës 09:30 po zhvillohet konferenca mbi ?Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme në Dritën e Reformës në Drejtësi?.
Pjesë e konferencës janë Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, Luigi Soreca, ambasador i delegacionit të Bashkimit Europian, Yuri Kim ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernd Borchardt ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Tryeza e sotme e ka pikënisjen nga një bisedë e zakonshme pune mes meje dhe zotit Carmine Pirozzoli, gjatë së cilës e njoha me idenë e organizimit të një takimi me partnerët tanë të misioneve ndërkombëtare të asistencës ligjore, për paraqitjen e një grupi propozimesh të Prokurorisë së Përgjithshme, me qëllim nisjen e disa projekteve me mbështetjen e tyre. Aty u kristalizua edhe ideja e organizimit të një takimi më tepër se teknik, me mbështetjen e misionit Pameca, me qëllimin e përfshirjes në këtë proces jo vetëm të të gjithë kontribuesve potencialë, por edhe për të sjellë një risi në mënyrën e komunikimit të ideve dhe ndërtimit të partneritetit të prokurorisë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.
Formalizimi i kësaj ndërmarrje ditën e sotme është pika fundore e një sërë takimesh që kam pasur me disa nga partnerët tanë që na kanë asistuar për një periudhë të gjatë në përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, të cilëve u kam prezantuar disa prej ideve që janë dhe tema kryesore e këtij takimi të sotëm, por njëkohësisht është dhe inaugurimi i një qasje të re proaktive me tipare strategjike të Prokurorisë së Përgjithshme, si në drejtim të promovimit të ideve për përmirësimin dhe modernizmin e kapaciteteve të organit të akuzës, ashtu dhe të formave të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me organet e tjera ligjzbatuese në vend.