Ajo që kishte paralajmëruar si firma mbi dekretin që do t?i jepte fund grushtit të shtetit, rezultoi firma mbi dekretin për të rrëzuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që heq betimin te presidenti si kusht për emërimin në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Por firmën e hedhur në podiumin e ngritur përballë Presidencës, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Presidenti i Republikës, e shoqëroi me një ultimatum. Nëse ky dekret do t?i rrëzohej, do të shpërndajë parlamentin.
Para qytetarëve që iu bashkuan thirrjes së tij në mbrojtje të Kushtetutës, shpjegoi edhe arsyet përse iu drejtua popullit.
Renditi një sërë shkeljesh kushtetuese, që sipas tij ka bërë mazhoranca, me qëllimin e vetëm për të kapur institucionet. Dhe tha se vendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese.
Nga podium përballë Presidencës lëshoi disa mesazhe edhe për ndërkombëtarët.
Tundi flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, citoi Presidentin Xheferson në emër të lirisë dhe akuzoi drejtuesit e mazhorancës si pasardhës të nomenklaturës komuniste.
E mbylli tubimin me fjalët që e nisi pasi u ul në gjunjë përpara popullit. Manifestimit iu bashkuan edhe krerët e partive opozitare dhe ish-Kryeministri Berisha që tha për gazetarët se ky tubim është fundi i narkoshtetit. Por asnjeri prej tyre nuk u ngjit në podium, ku fjalën e morën artistë, diplomatë, sportistë e studentë.
Pas manifestimit që zgjati afro dy orë, qytetarët e ardhur nga rrethe të ndryshme u shpërndanë paqësisht.
Tv Klan