Report TV - Rama me të rinjtë para presidencës: Vendi jo peng i besëlidhjes apo besëlikes

2020-03-02 0

TIRANE- Kryeministri Edi Rama sfidoi hapur presidentin Ilir Meta vetëm 24 orë nga tubimi anti-qeveritar i thirrur ditën e nesërme, duke zbritur kongresin e PS në ditën e tretë të tij në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë presidencës. Rama tha se vendi nuk mund të jetë peng i besëlidhjes, apo besëlikes argument me të cilin Meta ka thirrur tubimin më 2 Mars në Bulevard.  Duke folur për lirinë në Shqipëri, Rama i tha të rinjve se mjafton të dëgjosh atë që ju keni mbrapa për të kuptuar se deri ku shkon liria për t'ia futur kot dhe askush nuk të thotë asgjë.

Kreu i qeverisë theksoi gjatë fjalës së tij se ashtu si PS, edhe Forumi Rinor i Partisë Socialiste FRESSH-i duhet të hapet, për të mos qenë në drejtimin e një personi, por të ketë bashkëkryetarë një djalë dhe një vajzë. Gjatë zhvillimeve të ditë së tretë kongresit studentë që kanë jetuar dhe studiuar jashtë vendit folën për eskperiencën e tyre dhe arsyen pse kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shqipëri. Pasditen e sotme pritet të dalin edhe rezultatete e votimeve në PS për 137 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, e cila më pas do të zgjedhë edhe Kryesinë e re të partisë.

Në ditën e parë të kongresit kryeministri Rama vlerësoi fuqizimin e rolit të gruas jo vetëm në strukturat e Partisë Socialiste por kudo në Shoqëri. Ai tha se do vendoset një bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste dhe tekstet feministe do të futen me detyrim në programet e shkollave

Në ditën e dytë të sesionit të punimeve të kongresit u votua për ndryshimin e statutit. Rama paralajmëroi se nuk do të ketë më para në xhepa dhe "nën jastëk" të pajustifikuara, por të gjitha do duhet të depozitohet në llogari bankare. Nëse burimi i tyre nuk justifikohet Rama tha se pastaj do nisë ndërhyrja e OFL.  Ai premtoi se nga 1 janari 2021 paga minimale 300 mijë lekë të vjetra.