LDK kunder Kurtit per heqjen e pjesshme te takses

2020-02-28 0

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se ministrat e saj nuk do të votojnë heqjen pjesërisht të taksës siç ka njoftuar Albin Kurti në një konferencë për media ditën e enjte. Madje zv/kryeministri Abdullah Hoti thotë se nuk janë konsultuar paraprakisht për këtë çështje. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, shpreson se çdo dallim lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare do të tejkalohet nga partnerët e koalicionit. Një takim për harmonizimin e planit qeverisës e ka paralajmëruar edhe Kryeministri.

Ndërkohë ka reaguar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se kokëfortësia dhe mungesa e veprimeve dhe vendimeve të mençura e ka thelluar izolimin e Kosovës. Sipas tij është e nevojshme që me urgjencë të merren vendimet e duhura që ishte mesazh kryesor në takim me sekretarin Pompei dhe Këshilltarin për Siguri Nacionale Obrein.

?Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t?i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike?, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe të dërguarit special të Presidentit amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell nuk i ka pëlqyer ideja e fundit e Kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të taksës 100% ndaj mallrave serbe.

?Ne nuk e mbështesim heqjen me kushte të masës nga kryeministri Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz dhe kjo u bë e qartë për Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë?, ka shkruar Grenell në Twitter.

Ndërkohë zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së e ka quajtur hap pozitiv të Kurtit qëndrimin për heqjen graduale të taksës ndaj produkteve serbe.

Në deklaratë thuhet se ky hap mund të jetë pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe mund t?i hapë rrugë rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Tv Klan