2020 është cilësuar viti i sigurisë rrugore nga Ministria e Brendshme dhe për këtë ka propozuar ndryshime të Kodit Rrugor dhe ashpërsimin e masave ndaj drejtuesve. Masa të ashpra janë propozuar për drejtuesit e mjeteve nën ndikimin e alkoolit, ku gjoba shkon deri në 40 mijë lekë, nëse përmbajtja e alkoolit është nga 0.8 g/l deri në 1.5 g/l, nga 5-15 mijë lekë që është aktualisht dhe pezullimi i patentës shkon deri në 2 vjet, nga 6 muaj që është aktualisht.
Nëse një shofer në gjendje të dehur shkakton aksident dhe rezulton me përmbajtje alkooli 1.5 g/l alkool i hiqet patenta dhe duhet të rikthehet sërish në autoshkollë për ta rimarrë. Gjithashtu nëse drejtuesi i mjetit konstatohet me pije alkoolike, nga ora 19:00-06:00, gjoba është 30% më e lartë.
Ndryshime do të pësojë edhe gjoba për përdorimin e celularit në timon. Nga 1-1.5 mijë lekë që është aktualisht shkon në 5-15 mijë lekë. Nëse mban telefonin në dorë gjobitesh 5 mijë lekë, por nëse flet, gjobitesh 10 mijë lekë dhe nëse shkruan mesazhe 15 mijë lekë.
Një tjetër ndryshim i propozuar është gjoba 10-20 mijë lekë dhe heqje 5 pikë nga leja e drejtimit kur shoferi nuk ruan distancën e sigurisë dhe ushtron presion për të hapur krah me dritat e gjata. Gjobë 1-3 mijë lekë do të marrë një shofer, nëse pasagjerët në makinën e tij nuk kanë të vendosur rripin e sigurimit.
Ashpërsim të gjobave do të ketë edhe për parakalimet e gabuara, nga 1-3 mijë që është aktualisht do të shkojë 5-10 mijë lekë dhe heqje e patentës me 1 muaj.
Tv Klan