Dalin nga greva dy nga punonjësit e Poçemit: Njëri prej tyre dërgohet me urgjencë në spital

2020-02-25 0

Dy punonjës të stacionit të pompimit të Poçemit kanë dalë nga greva e urisë për shkak të gjendje të rënduar shëndetësore. Njëri prej tyre është dërguar me urgjencë në spital mëngjesin e sotëm.

Përfaqësuesi i grevistëve thotë se gjendja e grevistëve është rënduar. Ai shprehet se ndonëse grevistët kanë deklaruar se do të qëndrojnë deri në vdekje në grevë urie, nuk mund t'i lënë të qëndrojnë në atë gjendje. "Gjendja sa vjen e rëndohet. Ka filluar dehidratimi. Dy i kemi nxjerrë nga greva. Kemi dhe dy të tjerë në gjendje të rëndë. I nxorëm me forcë se nuk pranonte të dilte. Ata duan të sakrifikojmë por ne nuk mund t'i lëmë të vdesin", thotë ai.

Ndërkohë që njëri prej grevistëve që ka dalë dje nga ambienti ku qëndronte prej 13 ditësh përlotet teksa thotë se familja e tij prej 5 pjesëtarësh mbahen prej rrogës së tij.

"Mbrëmë nga ora 8 e darkës pata shqetësime. Tension të ulët, 9 me 5. Erdhën mjekët mbrëmë por tani u përkeqësova prapë. Familja më ka thënë të dal, por unë nuk dal për arsye ekonomike. Jemi 5 pjesëtarë që mbahemi me këtë punë. Vetëm premtime kemi deri tani, po luajnë me shëndetin tonë. Do shkojmë deri në vdekje. Këtu do mbytemi. Kjo qeveri të marrë masa. Jemi 11 burra shtrirë aty po vdesim", thotë grevisti.

Free Traffic Exchange