Kisha 400-vjeçare në Kolonjë, e degraduar! Për monumentin i kategorisë së parë, asnjë investim

2020-02-22 0

Kisha e Barmashit në rrethin e Kolonjës e ndërtuar në vitin 1610 me një stil të veçantë arkitekturor, sot ka një pamje tërësisht të degraduar. Edhe pse prej vitit 2015 kjo pasuri kulturore është cilësuar në gjendjen SOS sërish kjo nuk iu ka mjaftuar instancave përkatëse për të shpëtuar vlerat e mbetura në objektin 400 vjeçar i cili po shkon drejt zhdukjes së plotë të tij.

Gjergji Koki, drejtor i drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore tregon se në vitin 2015 është raportuar situata e kësaj kishe pas survejimit të detajuar, dhe me pas është realizuar një projekt, vlera e te cilit nuk ishte e përballueshme nga buxheti vjetor i shtetit. Koki hedh poshtë aludimet se për këtë kisha ka pasur çelje fondesh ."Nga ana jonë që në 2015 është cilësuar nga ne si një objekt i rrezikuar, pra në gjendjen SOS, që do të thotë ky objekt mbase nuk do ekzistojë më me kalimin e kohës. Është një buxhet që ne se mbulojmë dot, i kemi kërkuar ministrisë së Kulturës por është e pamundur që të gjitha të financohen", tha Gjergji Koki.

E shpallur si monument kulture i kategorisë së parë, por mesa duket vetëm emri i ka mbetur i tille në një tabelë të vjetërsuar nga pluhuri i harresës. Midis gërmadhash, shkurresh e mbeturinash, me një çati të shkatërruar , mure të rrënuara, në këtë monument po zhduken afresket murale 4 shekullore. Edhe pse janë duke kërkuar donatorë për shpëtimin e 35% të kishës, drita jeshile të paktën për këtë vit duket se nuk është ndezur.