Prokuroria e Tiranës rrëzon Partinë Demokratike në lidhje me padinë që ajo ka bërë ndaj arkitektit danez Bjarke Ingels, se ka shkelur ligjin me projektin e Teatrit të Ri. Vendimi për pezull të hetimit të çështjes penale u dha nga prokurori Saimir Hysa më 11 nëntor 2019, me argumentin se nuk ka asnjë provë që vërteton akuzat e Partisë Demokratike, por se çdo gjë është në kuadrin e hamendësimeve dhe e pambështetur në asnjë prove serioze. Sipas opozitës arkitekti danez ka shkelur ligjin dhe akuzohet për korrupsioni pasiv pasi ka marrë përsipër realizimin e projektit në mënyrë private nga kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës pa nënshkruar një marrëveshje me autoritetet publike dhe zona ku ndodhet godina e teatrit konsiderohej zonë e mbrojtur.
'Arsyetimi se arkitekti danez ofertën apo përfitimin e parregullt të marrë nga 'Fusha' sh.p.k. ja ka kaluar kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë është në kuadrin e hamendësimeve dhe e pambështetur në asnjë provë apo rrethanë serioze. Në rast se bëhet fjalë për vlerën e përfituar nga Bjarke Ingles si shpërblim për punën e kryer prej tij për realizimin e projektit, kjo nuk konsiderohet si përfitim i paligjshëm pasi është një e ardhur që buron nga një punë e kryer realisht dhe të një marrëveshje mes porositësit të projektit cilido qoftë ai dhe arkitektit. Kallëzuesi nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete apo indicje përveç deklaratave publike të bërë nga vetë personat që pretendon se ka kryer këtë vepër penale', shkruhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.