1.3 ton kokainë në Maqedoni, hyri në Shqipëri mes kontejnerëve me banane! Në dijeni DEA, GdF e SPAK

2020-02-19 0

TIRANE - Rreth 1.3 ton kokainë u sekuestruan pasditen e sotme në Maqedoninë e Veriut, në një fshat 10 kilometra larg Tetovës, në një skemë të përdorur gjerësisht nga trafikantët, përmes transportit të lëndës narkotike me trajler fshehur në kontejnerët me banane. Itinerari i ndjekur përfshin edhe Shqipërinë. Kokaina është nisur fillimisht nga Amerika Latine, në Itali në Mal të Zi, më tej ka hyrë dje në Shqipëri përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, tranzit, dhe ka dalë sot nga Qafë-Thana në Pogradec, për të kaluar në Maqedoninë e Veriut. Ky itinerar ishte zbuluar nga DEA amerikane dhe policia italiane që bashkëpunuan në këtë operacion, ku pasi vunë në vëzhgim trafikantët, kërkuan ndihmën e Shqipërisë. Me ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, trajleri me kontejnerët me banane u mbajt në vëzhgim, nga ku rezultoi se nuk kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare. Kur u kuptua se vendi ynë u përdor thjesht tranzit, pa rënë në sytë e trafikantët, për të mos devijuar rrugën e tyre, trajleri u la të kalojë për në Maqedoninë e Veriut, ku edhe u bllokua nga autoritetet në një magazinë të madhe frutash në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit në Maqedoninë e Veriut. Sipas hetimeve të kryera deri më tani, destinacioni final i kokainës ishte Koper, në Slloveni.

Sipas gazetarit të Report Tv Arsen Rusta, gjatë rrugës në Shqipëri, shoferi i kamionit ka bërë vetëm dy ndalesa, një për t'u furnizuar me karburant dhe një tjetër për të konsumuar një kafe.  Sipas gazetarit Rusta, autoritetet italiane kanë bërë dorëzimin e kontrolluar, duke zëvendësuar pjesën më të madhe të kokainës, por nuk dihet ende se me çfarë, ndërsa në njërën nga pakot me 1 kg kokainë ishte vendosur GPS.