KSAMIL- Pavarësisht se është një qytezë turistike, problemet me infrastrukturën dhe urbanizimin në Ksamil janë të shumta. Rruga "Peshkatari" në hyrje të Ksamilit është tërësisht e shkatërruar. Në rrugët e brendshme mungon ndriçimi, trotuaret dhe gjelbërimi. Me këto probleme hasen çdo ditë në Ksamil banorët, por edhe turistët që nuk janë të paktë në këtë vend që natyra i ka falur bukuri përrallore.
Pavarësisht se për këto problematika banorët shprehen se i janë drejtuar edhe Bashkisë Sarandë disa herë, deri tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje."Problemi është ky, rruga për t'u futur në shtëpi nuk ka dalë në rrugën kryesore. Me këto rrugë nuk po shkojmë dot të njerëzit tanë. Vijnë turistët këtu, futet shikon dhe kthehet pas, kjo është një minus për ne. Po e vuajmë ne dhe turistët kur vijnë këtu. Jemi ankuar në bashki, kemi bërë kërkesë për rrugët, por asgjë", tha një banor.
Një nga banorët Nadire Zogaj shprehet se mungesa e rrugëve të brendshme i detyron fëmijët e tyre të bëjnë disa qindra metra në këmbë mes baltës dhe për të shkuar në shkollë ata duhet t'i vijnë rreth e rrotull Ksamilit.
"Problem veç rrugës është dhe ndriçimi, nuk kemi një dritë që të lëvizim në darkë është errësirë. Kemi fëmijët, kam 2 fëmijët e vajzës për të shkuar në shkollë si të shkojnë në këtë rrugë. Edhe vetë dalim, vijnë makinat nuk kanë ku të futen në këto rrugë", tha një banore.
Ksamili përgjatë verës frekuentohet nga qindra turistë vendas dhe të huaj për nga vetë vendndodhja mes Sarandës dhe qytetit antik të Butrintit, por edhe plazhet me ujëra të kristaltë, por përballja me këto probleme e vizitorëve sigurisht është një përvojë negative për ta.