1.15 miliardë euro është shuma që u arrit të mblidhet nga Konferenca e Donatorëve e zhvilluar në Bruksel, nën kujdesin e Presidentit se Komisionit Europian e që zgjati afro 4 orë ndërkohë që kostot e përllogaritura shkojnë në 1 miliardë e 60 milionë euro.
Nga të cilat 300 milionë euro grantet dhe pjesa tjetër kredi të buta. Kjo shifër rekord shkon dhe përtej çdo pritshmërie që kishte qeveria shqiptare që në vlerësimin me optimist nuk i kalonte 350 milionë eurove.
Vetë Kryeministri Rama e shprehu habinë e tij për këtë arritje dhe këtë sipas tij e tregon dhe fakti që e ka gjetur të papërgatitur për këtë fjalim.
Tha se nuk mund të shpjegohej përveçse duke iu referuar hyjnores falenderimi që kishte dhe citoi Biblën e Kuranin për të treguar se sa i rëndësishëm është solidariteti i dëshmuar në këtë konferencë.
Në çelje të takimit ku merrnin pjesë afro 100 vende, por dhe institucione të rëndësishme financiare, si Banka Botërore, FMN, BERZH e Banka Islamike, Presidentja Ursula Von der Lajen, pas firmosjes së marrëveshjes për fondin prej 15 milionë eurosh, që Komisioni Europian vuri në dispozicion të vendit tonë, që ditën që tërmeti i 26 Nëntorit goditi Shqipërinë, deklaroi se vendet e BE do të jepnin dhe 100 milionë euro të tjera grante.
Ndër donacionet më të mëdha ishin ato të Komisionit Europian, me 115 milionë euro dhe Francës, me 100 milionë, prej të cilave 60 hua dhe 40 donacione.
Italia ofroi 65 milionë euro në projekte dhe 6 milionë në grante. Gjermania 11 milionë euro donacione. Banka Islamike 365 milionë dollarë kredi. Banka Botërore, 160 milionë euro kredi dhe BERZH 100 milionë euro në kredi.
Turqia ofroi 46 milionë euro, e cila është vlera e 500 apartamenteve të reja që do të ndërtojë në zonën e Laçit, si dhe për rindërtimin e xhamive të dëmtuara. Emiratet e Bashkuara ofruan 70 milionë euro, të konvertuara në ndërtimin e 2 mijë banesave.
Zvicra gjithashtu dhuroi 9 milionë euro, 5.6 milionë Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës 5 milionë dollarë, Holanda 3, Danimarka 2.7, Greqia 2.5, Serbia 2 dhe Kosova 200 mijë euro.
Thirrjes për të ndihmuar nëpërmjet kësaj konference iu përgjigjën të gjitha vendet dhe institucionet pjesëmarrëse, në donacione apo financime për ndërtimin e shtëpive, shkollave apo spitaleve në zonat e dëmtuara nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.
Tv Klan