BULQIZË - Merita 16-vjeçare, ende nuk e di se nëna, vëllai dhe motra e saj më e madhe, kanë ndërruar jetë më 14 shkurt në banesën e tyre, ku ajo mbijetoi. Sipas ekspertizës paraprake, Rajmonda 44 vjeç, Fatjoni dhe Rudina, ndërruan jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru. Por administratori i njësisë administrative të Ostrenit, në Bulqizë, ku jeton familja Tola, jep detaje nga ajo se çfarë ai pa në momentin e parë kur u gjend në banesë. Ishte kunata, fqinje me familjen Tola e cila vuri re mungesën e Fatjonin 14 vjeçar në shkollë, pasi ishte në një klasë me djalin e saj, e për këtë arsye trokiti në derën e shtëpisë së Rajmondës, por askush nuk u përgjigj. Me mbërritjen e fqinjëve dhe të afërmve, mes të cilëve edhe administratori i cili i ka kushërinj Tolajt, Altin Tola thotë se nëna me dy fëmijët e pajetë, dhe 16-vjeçaren e mbijetuar, ishin të tre në kuzhinë. Mbi sobën e drurit ishte edhe buka, të cilën vajzat e shtëpisë e kishin ngrohur mbi sobë për të ngrënë darkën.