Report TV - Konferenca e donatorëve kap shifrën 1.15 miliardë € (300 mln € grante) për tërmetin!

2020-02-18 0

BRUKSEL - I ka kaluar të gjitha pritshmëritë Konferenca e Donatorëve në Bruksel "Bashkë për Shqipërinë", duke arritur në një vlerë prej 1.15 miliardë euro (grante, projekte dhe hua) të grumbulluara për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit që ka pas 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë. Një vlerë që kapërcen edhe faturën financiare të dëmeve nga tërmeti, e cila ishte përllogaritur 980 milionë euro, teksa rindërtimi kërkon rreth 1.08 mld euro. Nga kjo vlerë, 300 milionë euro janë grante, dhurata, ndërsa vlera tjetër e konsiderueshme do të ofrohet në ndihmë të Shqipërisë, në formën e projekteve nga vetë qeveritë e huaja për ndërtime të caktuara në Shqipëri, dhe pjesa tjetër janë hua, borxhe. 

Prej orës 14:30 deri në 18:20, në Bruksel, në konferencën e organizuar nga Komisioni Evropian, e gjithë bota u solidarizua me Shqipërinë në rrugën e gjatë të rindërtimit pas goditjes më magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Komisioni Evropian ishte i pari që shprehur zemërgjerësinë ndaj ringritjes së kombit shqiptar, duke dhuruar 115 milionë euro, nga këto 15 milionë euro grante nga KE dhe 100 milionë euro nga fondi i Bashkimit Evropian. Emiratet e Bashkuara shfaqën bujarinë e tyre ndaj Shqipërisë duke dhuruar 70 milionë euro për ndërtimin e 2 mijë njësive të banimit.  Ndërkohë që në total nga institucionet e komitetit europian, janë 400 milionë euro ndihma për Shqipërinë.

5.2 milionë euro ishte shuma e dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë nuk mungoi solidariteti dhe mbështetja nga vende si Zvicra, Serbia, Gjermania, Turqia, Japonia, Koreja, Greqia, Britania e Madhe, Suedia, por mbizotëroi edhe zemërgjerësia e Francës. Qeveria e Macron i dhuroi Shqipërisë 100 milionë euro të cilat do të shpërndahen përmes projekteve, pra jo në vlerë parash por në ndërtime, si dhe 60 milionë euro, të dhëna hua, çka do të thotë se në një kohë të caktuar, Shqipëria duhet t'ia kthejë pas. Italia po ashtu i dhuroi Shqipërisë fqinje 65 milionë euro të cilat gjithashtu do të akordohen përmes projekteve në sektorë të caktuar. Ndërkohë, Turqia, e cila e para u vetëofrua për të ndërtuar mbi 500 njësi banimi, nga kjo konferencë, bëri të ditur se vlera totale e ndihmave që ajo i dhuron Shqipërisë, së bashku me blloqet e banimit, shkon në 46.3 milionë euro, përfshirë edhe ndërtimin e xhamive. Holanda, Danimarka e Polonia, Slovenia, Finlanda e Austria dhuruan shifra të konsiderueshme, ndërkohë që edhe pse në shifra më të vogla, nuk mungoi mbështetja nga Çekia, Hungaria, Rumania, Luksemburgu e Bullgaria, të cilat u solidarizuan për të marrë përsipër projekte ndërtimi në Shqipëri, veçanërisht në kopshte e shkolla, për sektorin arsimori i cili ishte i dyti më i prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.  Kosova jonë fqinjë gjithashtu u tregua solidare në këtë Konferencë të Donacioneve, ku pas ndihmave të dhëna vendit tonë menjëherë pas tërmetit me grupe të kërkim-shpëtimit e me hapjen e dyerve për të pastrehët, dhuroi 200 mijë euro për rindërtimin.